Për ndeshje të tilla thuhet se “ato nuk dolën drejt”. E tillë ishte kjo e Mançester Sitit që shpërdoroi një mundësi të madhe në Premier Ligë, duke dalë vetëm barazim në fushën e vet ndaj Sauthemptonit. Edhe pse pati një ditë më shumë pushim sesa kundërshtari (që luajti në Ligën e Europës), sërish skuadra e Pep Guardiolës nuk ia doli të fitonte, dhe nuk u shkëput dot sërish në krye të tabelës.
Madje, u desh goli i të riut Iheanaço që të barazontë në 55’, rrjetën e Natan Redmondit për miqtë. Ashtu si në “Kamp Nou” Siti vazhdoi të gabonte. Këtë herë ishte radha e mbrojtësit të blerë shumë shtrenjtë, Stouns, që të dhuronte gol. Siti, Arsenali dhe Liverpuli kryesojnë me nga 20 pikë renditjen, në një nga kampionatet më interesantë të kohëve të fundit.
Guardiola, ndryshe nga përballja me Barcelonën, hodhi në fushë Kun Agueron që nga minuta e parë, dhe po ashtu kapitenin e vjetër Vinsent Kompani. Klaudio Bravo ishte po ashtu në portë, pavarësisht gabimit të rëndë në Champions, ndërsa ofensiva e vendasve u mbështet edhe nga Stërling, De Brujn dhe David Silva. i gjithë ky talent nuk mjaftoi dhe trajneri katalanas ndjen se po vihet gjithnjë e më shumë në diskutim. Mos vallë, sukseset e tij tek Barcelona ishin më shumë për meritë te Lionel Mesit, sesa të gjenisë së tij si trajner?
B. Kuka