Humbje e Interit, parakalim i Atalantës ndaj tij, dhe paraqitje e mirë e shqiptarëve. Kjo është përmbledhja me një fjali e ndeshjeve në Serinë a. Etrit Berisha ishte si gjithmonë titullar për Atalantën, që mposhti interistët në Bergamo dhe i la pas në renditje. Portieri shqiptar bëri disa pritje, ndërsa nuk kishte asnjë faj në golin e pësuar. Mazielo e Pinija shënuan për vendasit, dhe Eder me goditje dënimi për ekipin e trajnerit De Bur që është sërish në rrezik shkarkimi, dhe që ka 11 pikë në renditje, ndaj 13 të Atalantës.
Elseid Hysaj u kthye në formacion për Napolin, dhe arriti fitore. Në fushën e Krotones modeste, napolitanët ia dolën 2-1, por jo pa vështirësi. Kajehon e Maksimoviç shënuan në pjesën e parë, Gabiadini doli me të kuqe që në 31’, por Krotone shkurtoi diferencën vetëm në minutën e parafundit. Napoli është i treti me 17 pikë, 4 më pak se Juventusi.
Frederik Veseli ishte mbrojtësi tjetër shqiptar në fushë, ndonëse jo titullar. Lojtari i kombëtares hyri pas pushimit për shkak të një dëmtimi të një shoku të tij të skuadrës, ndërsa sfida në Empoli ndaj Kievos përfundoi 0-0. Veseli u tregua i sigurt në mbrojtje dhe ndihmoi edhe në sulm.
Në stol të dy kuqezinjtë në Torino. Mbrojtësi Ajeti i vendasve dhe portieri Strakosha i Lacios e panë ndeshjen pa u aktivizuar asnjë minutë. Përfundoi 2-2, me Torinon që shpëtoi pikën vetëm në fund falë penalltisë së Ljajiçit.
I vetmi shqiptar që humbi ishte Ledian Memushaj. Kapiteni i Peskarës ishte titullar, në disfatën 1-3 në fushën e Udinezes, ndërsa Rei Manaj mbetet i dëmtuar.
Java 9: Atalanta-Inter 2-1, Krotone-Napoli 1-2, Torino-Lacio 2-2, Kaljari-Fiorentine 3-5, Empoli-Kievo 0-0, Udineze-Peskara 3-1
B. Kuka