Kthimi i shumëpritur si kundërshtar u bë, por ishte si “udhëtimi i Kanosës”. Zhoze Murinjos duhej t’i ndodhte pikërisht në “Stemford Brixh” që të pësonte humbjen më të rëndë si trajner në Premier Ligë, katastrofë 0-4 që ia shkaktoi ekipi numër 1 i zemrës së tij, Çelsi. “Speciali” jo më i tillë, u turpërua përpara tifozëve që e kishin ngritur në qiell ndërsa fitonte 3 tituj kampionë në Angli dhe shumë trofe të tjerë, ndërsa bënte spektakël jashtë fushe me batutat dhe thumbimet e tij.
Këtë herë nuk pati lavdi për portugezin, të cilit po i shkojnë punët keq e më keq. Përballja nisi dhe përfundoi për faqe të zezë për Mançester Junajtidin e tij, skuadrën me emrin e madh që e mori si trashëgim nga Sër Aleks Ferguson. Skocezi legjendar ndoshta po pyet veten nëse meritonte Murinjo të merrte “frenat” në “Old Traford”, dhe nëse është i njëjti trajner që ai ka njohur dikur.
Pedro Rodrigez, armiku i tij i dikurshëm tek Barcelona, shënoi që në minutën e parë, Geri Kejhill shtoi të dytin, ndërsa i përkëdheluri i Murinjos, Hazar shtoi të tretin, për t’iu vënë vula nga N’Golo Kante. Yjet me fanela të kuqe, Pol Pogba e Zllatan Ibrahimoviç u dukën shumë ordinerë, por natyrisht nuk vuajtën aq shumë sa trajneri i tyre që u duk sikur përshkoi “rrugën drejt ferrit”.
Në qiellin e shtatë rivali i tij, Antonio Konte, që po lë gjurmë gjithnjë e më shumë tek “Blutë”. Çelsi është tashmë pretendent i fortë për titull, me 19 pikë, vetëm një më pak se treshja që kryeson Mançester Siti, Arsenal e Liverpul. Murinjos nuk i mbetet tjetër të thotë veçse të përsërisë fjalët e Guardiolës pas “drurit” ndaj Barcelonës. “Kjo nuk është humbja ime më e rëndë, – tha Pep, – atë ma shkaktoi Reali”. Zhoze duhet vetëm të zëvendësojë fjalën “Real” me “Barcelonë”, duke kujtuar katastrofën 0-5 në “Kamp Nou” gjashtë vjet më parë.
B. Kuka