Man. Siti “sulmon” për Levandovskin, por mendjen e ka te Kejni!

Në moshën 32-vjeçare, sulmuesi i Bajernit nuk është se ka një të ardhme të madhe përpara vetes. Edhe pse ai quhet Robert Levandovski dhe është lojtari më i mirë i botës i vitit 2020, sërish një skuadër si Mançester Siti ka nevojë për një yll më të ri që të mendojë për sukses disavjeçar. Pep Guardiola e kishte identifikuar tek Harri Kejni këtë yll më të ri, pasi është 4.5 vjet më poshtë në moshë se polaku, e megjithatë mund të detyrohet të kënaqet me alternativën e dytë. Mediat angleze shkruajnë se Siti i ka bërë Bajernit një ofertë për Levandovskin, që ka edhe 2 vjet kontratë në Mynih dhe që merr rreth 15 milionë euro në sezon. Vetë polaku ka deklaruar se po mendon për një aventurë të re pas 8 vjetësh në Bavari dhe disa viteve më shumë në Bundesligë me Dortmundin. Nuk dihet sesa ka ofruar Siti për Levën, por e sigurt është që Guardiola po bën llogaritë nëse duhet të shpenzojë këtë vit për të, dhe pastaj të shpenzojë në 2022 për Kejnin apo është më mirë që të presë.

Sfidanti.al