Liverpuli pati fat me pikën në “Old Traford”, ndoshta fat kampionësh!

Nuk ishte ndeshja më e mirë, madje mund të thuhet se ishte një nga më të dobëtat. Gjithsesi, Liverpuli u largua i pamposhtur nga stadiumi më i vështirë për Jurgen Klopin, “Old Trafordi”, përballë një Mançester Junajtidi që luajti futbollin e jetës. Secili ekip kishte mungesa të rëndësishme, Junajtid pa Pol Pogbanë, dhe Liverpuli ka Mohamed Salahun, ndërsa sfida e Premier Ligës i pati të gjitha, edhe pse jo futboll të shkëlqyer.

Gola, gol të anuluar, vendime të VAR-it që sollën protesta dhe ndikuan direkt në rezultat, dhe betejë taktike të trajnerëve nga fillimi deri në fund. Ole Gunar Solskjer bllokoi kampionët e Europës thuajse gjatë gjithë kohës me skemën 3-5-2 (si Reja tek Shqipëria), me mbrojtje të përforcuar dhe kundërsulm të shpejtë të ndihmuar nga Rashford, Mektominai apo Xhejms.

Ishte Rashford që shënoi, por me aksionin që nisi pas ndërhyrjes së parregullt ndaj Origit. i këshilluar me VAR-in, gjyqtari Martin Atkinson (ai i Beogradit, në Serbi-Shqipëri) e quajti golin të rregullt, por anuloi rrjetën e shënuar më pas nga Sadio Mane. Sulmuesi afrikan e preku dukshëm topin me dorë, dhe me qëllim, ndaj goli u bë mirë që u anulua, por po ashtu duhej anuluar edhe goli i vendasve, ose të lejoheshin të dy. Pas pushimit, Klop bëri zëvendësimet dhe Okslejd-Çembërlen e Lalana sollën barazpeshën. Ky i fundit barazoi pas krosimit të Robertsonit, ndërsa Liverpuli ishte më pranë fitores. Barazimi do të thotë se të kuqtë janë në krye me 25 pikë, ndaj 19 të Mançester Sitit, ndërsa Junajtid është i 13-ti me 10 pikë. Klopi sërish nuk e arriti dot fitoren në “Old Traford”, dhe Liverpuli nuk barazoi dot rekordin e Sitit me 18 fitore radhazi në Premier Ligë.

Sfidanti.al