Liverpuli merr sot trofeun, por a do t’i bëjë një dhuratë Çelsit?!

Për vendasit, sfida ka vlerë vetëm simbolike, madje më pak se zakonisht sepse tifozët nuk do të jenë në stadium. Tribuna e famshme “Kop” do të jetë bosh, ndërsa Liverpuli luan ndeshjen e fundit në shtëpi në Premier Ligë, dhe në fund të saj do t’i dorëzohet kupa e kampionatit. Jurgen Klopi dëshiron ta mbyllë siç duhet, pra me fitore, ndërsa e cilëson si mbrëmjen më të lumtur në jetës së tij, të ngjashme me Krishtlindjet.

Gjithsesi, përballë të kuqve do të jetë Çelsi i Frenk Lampardit në kërkim të pikëve për t’u kualifikuar për në Champions. Blutë e Londrës kanë 63 pikë në vend të tretë, dhe janë vetëm 1 pikë mbi Leisterin e Mançester Junajtidin, pra nëse u “rrëshqet këmba” dalin jashtë zonës së Ligës së Kampionëve. Pyetja e mediave angleze është nëse Lampardi do të arrijë të fitojë betejën taktike me Klopin? Anglezi ia doli ndaj Solskjerit, ndërsa Çelsi eleminoi Mançester Junajtidin në Kupë, duke luajtur me 3 në qendër të mbrojtjes, e me sistemin 3-5-2. Ky sistem ka qenë i vështirë për Liverpulit, por ndoshta Klopi ia ka marrë dorën tani.

Sfidanti.al