“Mundo Deportive” shkruante, dje, se Liverpuli i ka dërguar Bacelonës një kundërofertë lidhur me transferimin e lojtarit të tij, Filipe Kutinjo. Sikurse dihet, klubi katalonjas mbeti duarthatë në ditët e fundit të sezonit veror të transferimeve, ndërkohë që Liverpuli u tregua kokëfortë dhe i refuzoi të gjitha ofertat e Barcelonës, ndërkohë që PSZH-ja hodhi poshtë edhe një ofertë të saj të orëve të fundit lidhur me blerjen e futbollistit argjentinas Anhel Di Maria.
Sipas gazetës së mësipërme, drejtuesit e Barcelonës u përpoqën që të arrinin marrëveshje me “të kuqtë” edhe në orët e fundit të sezonit veror të transferimeve dhe Liverpuli, në fakt, pranoi që ta shesë Kutinjon, por janarin e ardhshëm dhe me një kusht. Liverpuli kërkoi 160 milionë euro dhe që kjo shumë t’i paguhet menjëherë. Në fakt, Barcelona është gati që ta paguajë këtë shumë, por në mënyra të tjera: 40 milionë do të duhet që të paguhen si bonuse, kurse pjesa fikse e shumës të paguhet në disa këste. Sikurse thuhet, kundëroferta e Liverpulit nuk u mor parasysh nga Barcelona, kështu që duhet të shihet, nëse Kutinjo do t’i shitet Barcelonës në të ardhmen dhe kur.
Sfidanti.al