Shumica e futbollistëve të Mançester Junajtidit janë të lumtur që nuk punojnë më me Zhoze Murinjon. Gjithsesi, është të paktën njëri prej tyre që po e “qan” trajnerin e mëparshëm, dhe bëhet fjalë për Romelu Lukakun. Ish-sulmuesi i pazëvendësueshëm për portugezin, tashmë është kthyer në një rezervë të zakonshme. Me Murinjon ishte titullar në gati 78 për qind të ndeshjeve, dhe ishte në fushë në gati 92 për qind. Me Solskjerin, në formacion është në vetëm 33 për qind të tyre.
Çfarë ka ndryshuar kaq shumë në kaq pak kohë? Arsyeja kryesore besohet se është tek mënyra e ndryshme e lojës së dy trajnerëve. Murinjo luante më i tërhequr, dhe prandaj i duhej një sulmues i fuqishëm dhe shtatlartë, si Lukaku, për të mbajtur skuadrën përpara. Ai thoshte se “Lukaku është i pazëvendësueshëm jo edhe aq për golat, por për mënyrën e lojës”.
Solskjer, në të kundërt, luan më në sulm, dhe skuadra nuk ka nevojë patjetër për një pikë referimi përpara. Madje, duhet të jetë e kundërta, dhe trajneri norvegjez thotë se “shpesh herë, ai (Lukaku) është një objektiv shumë i lehtë për kundërshtarët”. Për këtë arsye, është aktivizuar si numër 9, më shumë Rashford, që është më i lëvizshëm. Mançester Junajtid shpenzoi 85 milionë euro për Lukakun, por këto para duken si të hedhura në “kosh”.
Sfidanti.al