Kritika të Murinjos per ekipin e “armikut” Konte

Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, komentoi, dje, mënyrën e lojës së ekipit që ai ka drejtuar dikur dhe që, tani, është lider në Premier Ligën angleze. Interesant është fakti se, pikërisht, ky trajner portugez, sipas shumëkujt, është krijues i stilit “autobusi i parkuar” para portës dhe, tani, është po ky njeri që kritikon Antonio Konten për lojën mbrojtëse të Çelsit.

“Dua që të jem i sinqertë dhe të them se ne do ta kemi të vështirë që ta arrijmë Çelsin, jo vetëm për shkak të diferencës së pikëve, por edhe për shkak të filosofisë së lojës që ata aplikojnë: ky ekip shënon një gol dhe fiton. Lojtarët e tij më shumë mbrohen dhe këtë e bëjnë shumë mirë”, vuri në dukje Murinjo në një prononcim në televizionin e Mançester Junajtidit. Por, megjithatë, pavarësisht se çfarë thotë Murinjo, statistikat tregojnë se “djajtë e kuq” kanë vetëm një fitore me më shumë se dy gola gjatë këtij sezoni të Premier Ligës, ndërkohë që “blutë” e Londrës kanë katër të tilla, përfshi edhe fitoren 4-0 mbi ekipin e Mançesterit! “Kur arrijnë që të shënojnë golin e dëshiruar, ata (lojtarët e Çelsit), gjatë 20 minutave të fundit, futën në mbrojtje dhe nuk duan ta dinë se çfarë thonë të tjerët për këtë, pasi ata duan vetëm që të fitojnë. Për këtë arsye, unë nuk e di sesi ata do të mund të humbasin shumë pikë. Matematikisht, ne edhe mund ta arrijmë Çelsin, por, në praktikë, do të jetë shumë e vështirë”, thotë Murinjo.

Sfidanti.al