Kontrata e fanelës e Liverpulit, më pak sot e më shumë mot!

Nëse do të vihen në peshore ofertat direkte financiare, nuk do të kishte kuptim marrëveshja e re e kampionëve të Europës. Liverpuli pranoi Najkun amerikan (Nike) me 30 milionë paundë stërlina në vit si sponsor teknik të fanelës, ndërsa kontrata e mëparshme me kompaninë Nju Balans (New Balance) arrinte në 45 milionë paundë stërlina. Najku, ndërkaq, ka kontratë prej 71 milionë paundë stërlinash me Paris SG, dhe marrëveshje më të mëdha sesa me Liverpulin, me të tillë si Çelsi apo Totenhemi.

Gjithsesi, të kuqtë, përveçse do të kenë 20 për qind shpërblime të tjera, do të mund të fitojnë nga reklamimi shumë më i fuqishëm që Najku do t’i bëjë emrit të tyre, nëpërmjet personaliteteve si Serena Uilliams, Lebron Xhejms apo Drejk. Drejtuesit e Liverpulit janë të bindur se do të arrijnë fitime rekord, siç i takon famës së fituesit të Championsit dhe pretendentit numër 1 për titullin në Premier Ligë.

Sfidanti.al