Uli Hënes pëlqen Sanenë, por çfarë do mendojë pasardhësi i tij?!

Në verë nuk patën fat, apo ndoshta nuk ishin pjekur kushtet plotësisht. Bajerni nuk e mori dot Leroi Sanenë, i cili madje edhe u dëmtua rëndë, por presidenti bavarez, Uli Hënes, ringjalli sërish temën e njohur. “Ne jemi ende shumë të interesuar, – tha ai, – ne biseduam me të, por dëmtimi ishte i rëndë dhe nuk mundëm të arrinim konkluzionin. Duhet të presim dhe të shohim sesi do të shkojnë gjërat”.

Pra, Hënesi vazhdon ta pëlqejë Sanenë, por presidenti thekson saktë se vendimin për 23-vjeçarin e Gjermanisë do ta marrin pasardhësit e tij. “Unë do të largohem në nëntor, para zgjedhjeve në klub, – u shpreh legjenda e Mynihut, – do t’u takojë udhëheqësve të rinj që të bisedojnë në janar apo shkurt për të vendosur”. Sane, me shumë gjasë, do të jetë gati në atë kohë, të paktën siç thotë Pep Guardiola, që sqaron se “në dhjetor, janar apo shkurt, ai do të jetë në rregull”. Pritet të shihet forma e Sanesë, çmimi i kartonit (në gusht ishte 135 milionë paundë stërlina) dhe se çfarë do të mendojnë drejtuesit e rinj të Bajernit.

Sfidanti.al