Dikur ishin ekipe që gëzonin respekt nën drejtimin e Arsen Vengerit dhe Maurisio Poçetinos. Kishte disa kohë që Totenhemi dhe Arsenali nuk ishin aspak në “hartën e të mëdhenjve” të futbollit anglez, por duket se kanë ndarë mendjen që të kthehen përsëri. Fitoret 3-0 ndaj Kristël Palasit nga Spërsat dhe 5-0 në fushën e Noruiçit nga “topçinjtë” ishin prova se dy ekipet gëzojnë “shëndet të plotë”. “Ishin tri pikë shumë të rëndësishme, – tha trajneri i “gjelave” Antonio Konte, – e nisëm ngadalë, por pastaj shënuam 2 gola, dhe kur ishim me 10 vetë përballë e patëm më të lehtë. Tani, gjëja më e rëndësishme është që të mëkëmbemi fizikisht sepse pas 2 ditësh kemi një tjetër ndeshje të vështirë”. Totenhemi fitoi me golat e Harri Kejnit, Lukas Mourës dhe koreanojugorit Son.
“Rezultat ishte i kënaqshëm, – tha Mikel Arteta i Arsenalit, – sepse në këtë periudhë festive duhet të mbajmë nivelin të lartë gjatë gjithë kohës. Ishim të shkathët, të shpejtë, dhe të përkushtuar. Një fitore e madhe dhe jam shumë i kënaqur. Filozofia jonë është që të hyjmë në çdo ndeshje për të imponuar lojën tonë dhe sot ishte një shembull i mirë”. Ish-kapiteni Obamejang nuk ishte në ekip, ndërsa golat u shënuan nga Saka, Tiernej, Saka (sërish), Lakazetë (penallti) dhe Smith-Roui.
Sfidanti.al