Klopi synon një “sprintier” për të zëvendësuar Manenë ose Salahun!

Nuk është e lehtë të vlerësohet se cili është lojtari më i shpejtë i Premier Ligës, por gjithsesi, ai që pëlqehet nga Jurgen Klopi është njëri nga më të mirët. Adama Traore, sulmues i Uolvesit, vlerësohet nga trajneri i Liverpulit si pasardhësi natyral i Sadio Manesë ose i Mohamed Salahut, nëse ndonjëri prej tyre vendos të largohet nga “Anfildi”. Mediat angleze raportojnë se Uolvesi do të kërkojë 70 milionë paundë stërlina për lojtarin e krahut, ose rreth 80 milionë euro, një shifër që normalisht Liverpuli nuk do të kishte problem për ta paguar, aq më tepër që Mane apo Salah do të kushtonin shumë më tepër.

Traore, i lindur në Spanjë, dhe që e ka nisur karrierën me Barcelonën, ka një shpejtësi të rrufeshme që thuhet se arrin deri në 37 km në orë, pra pranë asaj të Usain Boltit kur vendosi rekordin botëror të 100 metrave. Natyrisht, kjo shpejtësi nuk është për 100 metra, por për distanca më të shkurtëra si 30 metra, por gjithsesi është e qartë që Klopi kërkon lojtarët më të shpejtë të mundshëm për ekipin e tij, që t’i përshtaten futbollit të tij të mbiquajtur “hevi metëll”.

Sfidanti.al