Ndryshimi i njeriut të stolit solli edhe ndryshimin e mendimit. Eden Hazar nuk luftoi shumë për t’u larguar nga Çelsi, edhe pse e thërrisnin “sirenat” e Realit, dhe arsyeja kryesore ishte njeriu që u zgjodh si trajner. Mauricio Sarri njihet si një nga teknikët më të mirë të Europës dhe një nga njerëzit e dashuruar më shumë me futbollin sulmues.
Hazar, në skemat e ish-trajnerit të Napolit, pritet të “lulëzojë”, pasi një ekip sulmues do të thotë më shumë topa në këmbët e lojtarit ofensiv belg. Një futboll i rrjedhshëm, me lojtarët e krahut që kalojnë papritur drejt qendrës dhe mbrojtësit e krahut që dalin në sulm. Do të thotë më shumë rrezik për të pësuar gol, por më shumë shans për të shënuar, dhe lojë më e bukur për publikun.
Largimi i Antonio Kontes, me gjithë sukseset që solli në “Stemford Brixh”, pritet të hapë një epokë të re, edhe pse portieri Tibo Kurtua mund të largohet për tek Reali. Me Sarrin, tifozët ëndërrojnë titullin dhe Championsin, ndërsa futbollin e bukur e kanë të garantuar.
Sfidanti.al