Askush nuk mund t’i afrohet asaj që ka bërë Fred Everis në stolin e Uest Bromit, por jemi duke folur për futbollin e “televizorit me ngjyra”. Në këtë epokë, Arsen Venger arriti një rekord të madh të enjten në mbrëmje, kur Arsenali i tij fitoi 3-2 në fushën e Kristël Palasit në Londër. Dy golat e Aleksis Sançezit ishin mënyra më e mirë për të festuar ndeshjen e 810-të të francezit si trajner në Premier Ligë, gjë që e barazoi me famëmadhin Sër Aleks Ferguson. Në 3 janar, në derbin tjetër londinez ndaj Çelsit, Venger do të jetë rekordmen i vetëm me 811 takime në stol.
Të dy gjigandët e epokës moderne janë larg nga Fred Everis, që ishte trajner i Uest Bromit nga 1902 deri në 1948, duke e udhëhequr në 1520 ndeshje. Ky është rekordi absolut i kampionatit anglez që nga themelimi në 1888, por besohet edhe rekordi botëror.
Duke u kthyer në rivalitetin Venger-Ferguson, duhet thënë se skocezi i Mançester Junajtid ka statistika më të mira me 13 tituj kampion, ndaj 3 të francezit, që ia kalon në Kupën e Anglisë me 7 fitore. Në total, Venger ka fituar 1601 pikë ndaj 1752 të Fergit.
Sfidanti.al