Gigsi si Runi: Kemi mësuar më shumë nga Van Gali se nga Fergi!

Këto fjalë natyrisht nuk i heqin asnjë “fije floku” Sër Aleksit, trajnerit gjigand që krijoi Mançester Junajtidin më të madh të të gjitha kohëve, dhe një nga skuadrat më të shquara që mban mend futbolli. Gjithsesi, një ish-nxënës i tij si Rajan Gigsi thotë pak a shumë ato fjalë që më parë i ka thënë Uejn Runi, pra që kur vjen puna tek puna e kujdesshme si trajner, ata kanë mësuar më shumë nga Luis Van Gali. Holandezi, që shkëlqeu me Ajaksin, Barcelonën e Bajernin, nuk pati shumë kohë në “Old Traford”, por Gigsi ishte ndihmës i tij dhe e mban mend mirë.

“Sër Aleksi e caktonte skuadrën (formacionin) vetëm një orë e gjysmë para fillimit të ndeshjes, – tregon ai, – ne e dinim se çfarë duhej të bënim, dhe ishim mësuar të luanim më atë lloj stili. Rrallë kishte ndryshime të mëdha, siç ndodhi para gjysmëfinales me Barcelonën në 2008. Fergusoni mendonte se kur lojtarët mund të kapeshin në befasi, nuk kishte shumë kohë për t’u përqëndruar. Van Gali ishte ndryshe. Ai e caktonte formacionin që dy ditë para ndeshjes, ne punuam më shumë në aspektin taktik, dhe unë ndjeva se ai solli në klub atë mënyrë pune nga jashtë Anglisë. Për mua ishte diçka perfekte. Edhe unë sot u them lojtarëve të mi që dy ditë përpara se kush do të luajë, sepse nuk dua t’i mbaj në tension”.

Sfidanti.al