Seria e pazakontë e 11 fitoreve radhazi të Çelsit në Premier Ligë është një diçka, për të cilën po flet e gjithë Anglia, gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që komentet pozitivë për lojrat që po zhvillon ekipi i Antonio Kontes, po vijnë edhe nga legjendat e ekipeve rivale kryesore, sikurse është një i tillë edhe Geri Nevil. Ky ish-mbrojtës i Mançester Junajtidit është i impresionuar nga tabloja e përgjithshme e lojës së Çelsit në këtë moment, ndërsa ai thekson se vetëm një diçka mund ta pengojë këtë ekip londinez që të fitojë titullin e kampionit në Premier Ligë. “Te Çelsi gjithçka duket ashtu si duhet të duket në një ekip kampion. Portieri është solid dhe i sigurt, ndërkohë që ky ekip ka edhe futbollistë specialë, si Eden Azari dhe Diego Kosta, që mund ta kthejnë në favor të ekipit të tyre lojën. Kësaj duhet t’i shtoni edhe përvojën e një trajneri që, tanimë, e di sesi duhet të fitohen titujt. Këto gjëra e vendosin këtë ekip në një pozitë të fortë. E vetmja diçka që mund ta pengojë Çelsin, do të mund të jetë një rënie e papritur e formës gjë që, sipas meje, është e pamundur. Konsideroj se sfida më e madhe për Çelsin do të jetë shmangia e dëmtimeve”, thotë Nevili.
Sfidanti.al