Gerard Deulofeu, nga La Masia në finalen më të vjetër në botë!

Ëndrrën më të madhe të jetës nuk e realizoi dot, por nuk duhet të shkurajohet sepse nuk është i vetmi. Gerard Deulofeu shpresoi me gjithë zemër të ishte një ditë sulmues i Barcelonës, pasi u formua në akademinë e saj të famshme, “La Masia”. Kjo nuk ndodhi, edhe pse ai e provoi dy herë, në 2011-2013 dhe 2017-2018. Ishte e pamundur të konkurrojë Leo Mesin, David Vijën, Pedron, Nejmarin apo Suarezin.

Gjithsesi, këtë të diel, Deulofeu realizoi diçka jo edhe aq të vogël, arriti në finalen e Kupës së Anglisë me fanelën e Uatfordit. Në gjysmëfinalen e luajtur në “Uembli”, ai ishte vendimtar, edhe pse hyri në lojë vetëm në minutën e 66-të. Uolverhemptoni po kryesonte 2-0, por Deulofeu shënoi golin e parë në minutën e 79-të, pastaj Dini (Deeney) barazoi në sekondat e fundit, dhe Deulofeu shënoi sërish, në minutën e 104-ët për rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas fitores së titullit në La Liga me Barcelonën në 2018 dhe Ligës së Europës me Seviljen në 2014-2015, Deulofeu shpreson të arrijë një sukses ndoshta edhe më të madh, pasi e tillë do të ishte fitorja e Kupës së Anglisë për Uatfordin. Problemi më i madh është që finalen do ta luajë ndaj Mançester Sitit.

Sfidanti.al