Fshati digjej, ndërsa Ibra, Mata dhe Marsial..”kriheshin”

Futbollisti legjendar i Mançester Junajtidit, Rajan Gigs, i kritikoi ashpër disa yje të këtij ekipi për qëndrimin e tyre pas ndeshjes së djeshme me Çelsin që ky i fundit, sikurse dihet, e fitoi thellë, 4-0. Këtij ish-futbollisti mjaft të njohur uellsian nuk i pëlqeu aspak se disa futbollistë të Mançesterit qëndronin, duke buzëqeshur në mes të fushës, pas mbarimit të ndeshjes dhe shihnin se me cilin lojtar kundërshtar do të mund t’i shkëmbenin bluzat, një pamje kjo që, sipas Gigsit, është e rrallë, kur je mundur 4-0. Në një situatë të tillë u panë se ndodheshin pas ndeshjes Zllatan Ibrahimoviçi, Huan Mata dhe Antoni Marsial. “Nuk është turp që të humbasësh, qoftë edhe me këtë rezultat. Por, në rast se ndodh kështu, mund t’i afrohesh lojtarit kundërshtar dhe ta përshëndetësh, t’i shprehesh mirënohjen publikut dhe, me kokë të ulur, të shkosh në dhomën e zhveshjes, por nuk duhet të qëndrosh në mes të fushës, të qeshësh dhe të përpiqesh të ndërrosh bluzën me lojtarët e ekipit që sapo të ka shkatërruar”, e komentoi Gigsi qëndrimin e tre lojtarëve të lartpërmendur.