Fabregas: Është shumë më e vështirë që të fitosh në Premier Ligë sesa në La Liga

Çesk Fabregasi thotë se fitimi nga ana e tij, në përbërje të Celsit, të titullit të kampionit të Premier Ligës është arritja më e madhe në karrierën e tij, ndërsa shpjegoi se përse është më e vështirë që të arrish deri te titulli në Angli sesa në Spanjë. Ky fubollist spanjoll, në fakt, ka një titull të fituar me Barcelonën në La Liga, më 2013, si edhe disa trofe të tjerë me ekipin katalonjas. Sesk Fabregasi që është produkt i shkollës së të rinjve të Barcelonës, megjithatë, thotë se për të më shumë rëndësi ka titulli në Premier Ligë, pasi ai fitohet më me shumë vështirësi sesa në La Liga.

“Ka diçka te ky trofe që e bën atë më të ndryshëm nga të gjithë trofetë e tjerë që unë kam pasur fatin që t’i fitoj”, thotë ky mesfushor spanjoll, duke shtuar më tej: “Ngritja e kupës në Premier Ligë është diçka speciale, ajo ju jep juve një ndjesi të një lloji të veçantë. Kam luajtur në Spanjë dhe kam parë shumë futboll, ndërsa unë ndjek edhe kampionatet në Gjermani, Francë dhe Itali, kështu që mund t’ju them se Premier Liga është kampionati më i fortë në botë. Ndoshta, lojtarët më të mirë nuk luajnë këtu, por mund t’ju deklaroj se ky është konkurrimi më i fortë në botë dhe, definitivisht, më i vështirë për ta fituar atë. Do të thoni ju se përse qenka kaq i fortë ky kampionat? Sepse atë mund ta fitojë çdo ekip. Në Spanjë, ka ndeshje që ju duhet të luani shumë keq që të humbisni pikë! Kurse në Angli çdo ndeshje është e rëndësishme”, theksoi Fabregasi.

Sfidanti.al