Edhe legjendat gabojnë, vlerësim i gabuar i Fergusonit më 2006

Trajneri legjendar i Mançester Junajtidit, ser Aleks Ferguson, gjatë karrierës së tij ka bërë një punë të shkëlqyer, kur ishte fjala për marrjen e përforcimeve të reja. Fergusoni, rrallë herë, blinte me para “të mëdha” yje të mëdhenj, përkundrazi, në shumicën e rasteve, ai blinte me para “të vogla” lojtarë që, në pamje të parë, dukeshin si mesatarë, por nga ata ai i nxirrte maksimumin.

Sidoqoftë, edhe ai dinte të gabonte dhe këtë e zbuloi miku i tij i afërt, Alaster Kembell, ish-këshilltar dhe i ish-kryeministrit Toni Bleir. Trajneri skocez (Fergusoni), në një rast, ndoqi lojën e futbollistit francez Frank Riberi, atëkohë 22-vjeçar, që luante me Marsejën dhe, mbasi e pa atë 45 minuta, tha se ai nuk bënte për Mançester Junajtidin. “Aleksi e ndoqi sulmuesin anësor të Marsejës, Riberi, por, mbas pjesës së parë, tha se ai nuk bënte pë Junajtidin”, deklaroi Kembelli.

Kjo ka ndodhur në shkurt 2006, vetëm pak muaj para se Riberi ta tregonte veten mjaft mirë në kampiontin botëror të Gjermanisë, mbas të cilit, në verën e vitit 2007, u bë transferimi i tij për te Bajerni i Mynihut për 25 milionë euro.

Sfidanti.al