Vendimi për largimin e parakohshëm nga Arsenali që ka marrë këto ditë trajneri Arsen Venger, pavarësisht nga spekulimet e shumtë, ishte i papritur dhe e befasoi median sportive angleze që, në fakt, kishte dy vite që e kritikonte trajnerin francez, por, më shumë u shokua klubi i “topçinjve”. Per Mertzaker dhe Xhek Uilshier ishin të parët që folën për vendimin e Vengerit, duke theksuar se atmosfera në stërvitje ishte shumë emocionuese dhe e rëndë, duke qenë se asnjë nga lojtarët që kanë një respekt të madh për Arsenin, nuk e prisnin dorëheqjen e tij.
Skenari befasues që u zhvillua në seancën stërvitore, ku Vengeri paralajmëroi dorëheqjen e tij, bëri që mediumet anglezë të përpiqeshin të siguronin të gjitha informacionet e mundshme lidhur me ato fjalë që u tha trajneri francez futbollistëve të vet, para se të shkonte të takohej me gazetarët.
“Kemi një sezon që duhet ta çojmë deri në fund. Përballë kemi edhe një trofe që ne mund ta fitojmë (ai i Ligës së Evropës). Më pas, unë do të largohem, ndërsa tani po shkoj që ta përfundoj atë konferencë shtypi”’, u tha Vengeri më dhomën e zhveshjes lojtarëve të vet, duke i lënë ata të ngrirë.
Sfidanti.al