Doktorët e Premier Ligës të tmerruar: Rifillimi mund të vrasë lojtarë!

Jo më kot cilësohet si liga më e ashpër e botës. Nuk ka kampionat në rruzull që t’i afrohet ritmit të Premier Ligës angleze, dhe kjo është arsyeja që doktorët e klubeve janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rifillimi i saj, pas mbi 2 muajve pushim. Doktorët, dhe stafet e tyre mjekësorë, kanë dërguar një e-mail me 100 pyetje për organizatorët e Premier Ligës, ku sqarojnë se shëndeti i futbollistëve pritet të rrezikohet madje seriozisht.

Mediat britanike njoftojnë se doktorët kanë paralajmëruar deri edhe rrezikun për jetën të yjeve të mëdhenj të futbollit anglez. Kjo, sepse gjykohet se koha nuk do të jetë e mjaftueshme që nga kthimi në stërvitje, e deri në fillimin e ndeshjeve. Një pjesë e skuadrave të Premierit nuk e kanë nisur ende stërvitjen, pasi nuk janë të qartë për rregullat që duhet të zbatohen, dhe kjo mund të bëhet vetëm në 18 maj. Nga ana tjetër, propozimi mund të jetë që Premier Liga të rifillojë në 12 qershor.

Doktorët theksojnë edhe se pritet të ketë dëmtime serioze fizike, për shkak të periudhës së gjatë të inaktivitetit apo të stërvitjeve individuale, që janë shumë të ndryshme nga seancat kolektive. Gjithsesi, klubet kryesorë të Premier Ligës shpresojnë që kampionati të luhet, për të shmangur humbjet e mëdha financiare që mund të arrijnë deri në 1 miliardë paundë stërlina.

Liverpuli kryeson renditjen me diferencë të madhe me ndjekësit, dhe pritet të fitojë titullin pas 30 vjetësh pritjeje, madje kjo mendohet të ndodhë edhe nëse Premier Liga nuk arrin të përfundohet.

Sfidanti.al