Nuk është një shifër për t’u përbuzur kur je një klub i Ballkanit, edhe pse quhesh Dinamo e Zagrebit, dhe nga radhët e tua kanë dalë Luka Modriç apo Mario Manxhukiç. Gjithsesi, gjigandët kroatë vendosën ta hidhnin poshtë interesimin e Bërnlit për sulmuesin e tyre, Mislav Orshiç, edhe pse lojtari është 29 vjeç, pra aspak një shpresë e re e futbollit. Klubi i Premier Ligës ofroi 7 milionë paundë stërlina për kartonin, që do të thotë 8.5 milionë euro, por pavarësisht se pati bisedime në Zagreb, transferimi nuk u kthye. Besohet se Dinamo dëshiron ta ketë skuadrën të plotësuar sepse sezoni është tepër i vështirë. “Blutë” kanë 40 pikë në 19 ndeshje ndaj 40 pikëve në 20 ndeshje të Rijekës dhe 40 pikëve në 21 ndeshje të Osijekut, ndërsa Hajduku është në 38 pikë në 20 ndeshje. Titulli kampion nuk është aspak i sigurt, dhe për Dinamon synimi kryesor është kualifikimi për në Champions, për të marrë fitimet e mëdha të UEFA-s.
Sfidanti.al