Tashmë është mbi Rozher Federerin dhe Novak Gjokoviçin, të paktën për një farë kohe. Rafael Nadal bëri heroizmin e radhës në karrierën e tij duke fituar finalen e Australian Openit, në mënyrë dramatike ndaj Danil Medvedevit, e duke vendosur rekordin botëror me 21 tituj Grand Slem në karrierë, një më shumë sesa gjigandët bashkëkohës të tij.
Finalja ndaj rusit ishte e gjatë, tepër e gjatë, plot 5 orë e 24 minuta, dhe drama ishte sepse spanjolli u desh të përmbyste rezultatin. Medvedev, më i talentuari i brezit që po vjen pas treshes së madhe, fitoi dy setet e para 6-2 e 7-6, por Rafa nuk u dorëzua. Ai barazoi rezultatin në 2-2 duke fituar dy setet e tjerë nga 6-4, si dhe setin e fundit me shifrat 7-5. Një mrekulli e vërtetë, sepse dy muaj më parë Nadali po mendonte ta mbyllte karrierën për shkak të dëmtimit në këmbë, ndërsa ai përsëriti atë që bëri Federer në 2017 që humbi 6 muajt paraardhës i dëmtuar.
“Nuk di se çfarë të them, – tha më pas, – është e mrekullueshme për mua. Ndershmërisht, një muaj e gjysmë më parë, unë nuk e dija nëse do të kthehesha më për të luajtur tenis, ndërsa tani jam këtu përpara jush me këtë trofe. Ju nuk e imagjinoni sesa shumë vlen për mua që jam sërish këtu. Jeni të mrekullueshëm dhe ju falenderoj thellësisht për dashurinë dhe mbështetjen”.
Sfidanti.al