Tifozët e pranishëm në Emirates Stadium u bënë dëshmitarë të një ndeshjeje vërtet spektakolare që ishte e rezervuar këtë fundjavë në Premier Leaguen angleze. Derbi londinez mes Arsenalit dhe Totenhemit nuk pati fitues pasi 90 minutëshi i kësaj supersfide u mbyll me barazimin 2-2 me skuadrat që dolën nga fusha e lojës me vetëm 1 pikë secila, dicka që nuk e meritonin duke parë atë që dhanë në fushën e lojës.
Totenhemi duket se iu drejtua një fitore me shumë rëndësi në këtë përballje teksa mori avantazhin e dyfishtë me golin e Eriksen në minutën e 10 dhe atë me penallti të shënuar nga Herri Kejn. Ai që mendoi të rikthejë Arsenalin e Unai Emeri në lojë ishte Lakset që shkurtoi diferencën në 2-1.
Në pjesën e dytë, Arsenali kërkoi të shënojë një tjetër gol dhe e gjeti me Obamejang 19 minuta nga fundi i ndeshjes. Kaq mjaftoi që Topcinjtë të rrisnin presionin madje gjetën edhe golin e tretë me Sokratis, por sistemi VAR e anuloi për pozicion jashtë loje të Kolashinas. Minutat e fundit ishin drithëruese me të dyja skuadrat që e kërkuan fitore duke krijuar raste shënimi, për Arsenalin rrezikoi Mkitarjan ndërsa në krahun tjeter ishin Kejn e Sisoko që iu afruan golit, por në fund rezultati mbeti 2-2 në një ndeshje që i argëtoi jashtë mase ata që e adhurojnë vërtet futbollin.
sfidanti.al