De Brujni tregon sesi edhe ai e humbi durimin me Murinjon

Sherri Pol Pogba-Zhoze Murinjo ka qenë një nga temat kryesore të mediave sportive këta muaj, por trajneri portugez ka histori edhe më të hershme. Një të tillë e tregon mesfushori i Mançester Sitit, Kevin De Brujn, që flet për kohën kur ishte tek Çelsi.

Flitet për kohën 2012-2014, kur De Brujni ishte vetëm 20 vjeç, ndërsa cilësohej si një potencial i madh. Në fillim gjithçka shkoi mirë dhe belgu luajti në formacion për blutë e Londrës, por pastaj erdhi “ngërçi”. Murinjo e uli në stol.

Jo vetëm kaq, por trajneri deklaroi publikisht se “dua të jem i ndershëm me Kevinin, e ula në stol pasi nuk më pëlqeu sesi luajti ndaj Suindonit, dhe po ashtu nuk më pëlqeu mënyra sesi u stërvit”. De Brujni rrëfeu se “në atë kohë isha 20 vjeç dhe nuk është se kisha shumë durim, ndaj e mblodha mendjen për t’u larguar”.

Një humbje e madhe për Çelsin, pasi ai kaloi tek Volfsburgu, dhe Mançester Siti e mori për 55 milionë paund stërlina në 2015. Një vit më vonë, tek Siti erdhi Guardiola, që e bëri De Brujnin një nga lojtarët e tij kryesorë, dhe për të cilin flet gjithnjë me superlativa.

Sfidanti.al