Në tryezë lexon ofertën nga Kina! Vlera financiare është 50 milionë stërlina apo mbi 57 milionë euro! Arsye shumë e fortë për një njeri normal sipas standardeve të sotme, që të pranojë dhe të thotë “po”. Ky njeri normal i standardeve të sotme është Uejn Runi, futbollisti i Mançester Junajtidit, dhe nga Kina vjen jo një, por të paktën dy oferta nga klubet e Superligës. Gjithsesi, është moment që Runi, një djalë liverpulas, të bëjë një deklaratë dashurie për ish-klubin e tij, Evertonin. Ishte pikërisht Evertoni që e bëri futbollist të madh dhe pastaj Sër Aleks Fergusoni e mori në “Old Traford”, ndaj Uejni ka një mundësi për një kërkesë faljeje për atë thyerje zemre që u bëri tifozëve të bluve para 13 viteve.
Javët e ardhshme do ta tregojnë se cili do të jetë vendimi. Runi ka bërë të qartë se do të vendosë bashkë me familjen, dhe kjo është krejt e natyrshme. Do të vendosë jo vetëm për shkak të financës dhe ofertave të jashtëzakonshme nga Kina, por ndoshta në një mënyrë më pak materialiste, pasi mund të tërhiqet nga ideja se në Kinë do të njohë një vend të madh, një kulturë krejt tjetër, një popull të famshëm dhe të ndryshëm nga ai anglez, dhe do të luajë futboll në një kampionat të ri. Sa i përket rrogës, Evertoni i jep 150 000 stërlina në javë, 100 000 më pak sesa merr tek Junajtid, ndërsa në Kinë do të fitonte 480 000.
Sfidanti.al