Çelsit nuk i mjaftojnë Verner e Broja, nis bisedimet me Levandovskin!

Sulmuesi polak ka nisur t’i pëlqejë shumëkujt, dhe po bëhet i mundshëm për t’u arritur, ndaj edhe në “Stemford Brixh” nuk duan që të humbasin kohë. Mediat angleze shkruajnë se Çelsi ka nisur bisedimet me përfaqësuesin e Robert Levandovskit, Pini Zahavi, ndërsa kanë kuptuar se mbërritja tek Erling Halandi është tepër e vështirë (ose po bëjnë “finte”). Trajneri Tomas Tuhel nuk e ka numrin e duhur të sulmuesve, plus nuk ka një numër 9 klasik, dhe që garanton gola. Timo Verner nuk arriti të kishte sukses sezonin e kaluar, Olivie Zhiru u largua, Tami Abraham duket se do të bëjë po këtë gjë, ndërsa Armando Broja është tepër i ri. Dëshirat për Romelu Lukakun dhe Harri Kejnin duken më shumë si ëndrrat e netëve të verës, ndërsa ylli i Bajernit duket diçka më konkrete. Me 50 milionë euro, blutë e Londrës besojnë se mund të mbarojnë punë, dhe Levandovski është ende në kulmin e tij, por nuk dihet nëse bavarezët do të bien dakord.

Sfidanti.al