Çelsi “galvanizohet” në prag të Barçës, 4-0 Hullit në Kupë

Titullin nuk e mbron dot, por dy objektiva të rëndësishëm i ka përpara. Askush nuk duhet ta nënvleftësojë Çelsin e Antonio Kontes, aq më shumë me trajnerin italian tepër të zemëruar nga problemet e fundit. Blutë e Londrës shfaqën gjithë reagimin e tyre, pas vuajtjeve të shumta të sezonit, duke mundur 4-0 Hull Sitin e duke u kualifikuar për në çerekfinalet e Kupës së Anglisë.

Afrimi i përballjes në Champions ndaj Barcelonës, po në këtë stadium “Stemford Brixh”, duket se e ka “galvanizuar” skuadrën e kryeqytetit që arriti fitoren e dytë të thellë radhazi në pak ditë.

Golat u shënuan nga Uillian në 2’, Pedro në 27’, Uillian në 32’ dhe Zhiru në 42’. Sulmuesi francez, Zhiru, shënoi golin e parë me fanelën e re, që kur u transferua nga Arsenali në janar. Miqtë humbën mundësinë më të mirë të parën, penalltinë e gjuajtur nga Meiler dhe pritur nga portieri Kabajero.

Në ndeshjen tjetër, Leisteri shfrytëzoi epërsinë e faktorit fushë për të mundur 1-0 Shefilld Junajtidin. Golin e vetëm e shënoi (e kush tjetër) Xhemi Vardi në minutën e 66-të.

Sfidanti.al