Berisha dhe Atalanta duhet të zgjidhin problemin “Baçuai”

Thuajse “u përzu” nga Çelsi i Antonio Kontes, ndonëse nuk u braktis plotësisht nga Roman Abramoviç. Miçu Baçuai ka nisur jetën e tij të re tek Dortmundi, ku është i huazuar, dhe në Ligën e Europës shënoi dy herë, duke pasur tani 5 gola në 3 ndeshje. Pasi e nisi shkëlqyeshëm në Bundesligë, sulmuesi i ri belg fitoi duelin me mbrojtjen e Atalantës dhe me portierin e Shqipërisë, Etrit Berisha.

Baçuai ndihmoi Dortmundin të arrinte fitoren e parë në Europë pas 9 ndeshjeve radhazi zhgënjyese, rezultate që e bënë Borusian të dilte e treta në grupin e vet në Champions dhe të eleminohej. Në Ligën e Europës, sidoqoftë, ka shpresë, edhe pse skuadra dikur e shkëlqyer e Jurgen Klopit është tërësisht e ndryshuar.

Trajneri i sotëm, Peter Shtëger, ka besim te kualifikimi, pasi ka Baçuain, ndonëse mediat gjermane shkruajnë se në Itali do të jetë shumë e vështirë në ndeshjen e kthimit. Gjithsesi, Atalanta dhe Etrit Berisha duhet të zgjidhin problemin “Miçi Baçuai”.

Sfidanti.al