Luhej jashtë fushe, në Miluoki, dhe të zotët e shtëpisë kishin në radhët e tyre një “Majkëll Xhordan të ri” apo “Lebron Xhejms të ri” si Janis Antetokumpo. Afrikani i lindur në Greqi shkëlqeu dhe bëri të vetën, por ai dhe skuadra e tij u detyruan të dorëzoheshin në fund.
Kjo pasi përballë tyre ishte Denver Nagets tepër i frymëzuar, ku ndjeshëm mbi të tjerët doli Nikola Jokiç. Basketbollisti polivalent dhe shumë i talentuar serb pati një tripëll dabëll që pa u mbyllur gjysma e ndeshjes në NBA, në një mbrëmje të koshave tripikësh. Jokiç realizoi tripëll dabëllin më të shpejtë në historinë e kampionatit në vetëm 15 minuta.
Denver shënoi 24 kosha me vlerë 3 pikë, duke barazuar rekordin e klubit dhe duke mbetur vetëm një kosh pas rekordit absolut të NBA-së dhe triumfoi me shifrat 134-123.
Jokiç shënoi 30 pikë, kapi 15 topa në tabela dhe shërbeu 17 asistë, një rekord ky i fundit për karrierën e tij të re në basketbollin amerikan. Po ashtu, ai vodhi një top dhe i bllokoi dy gjuajtje kundërshtarëve. Shtatlarti serb u ndihmua nga Geri Harris me 28 pikë, Xhamal Marrej me 26 dhe Uill Barton me 19 pikë, ndërsa Lajls realizoi 12 e Çendlër 11.
Antetokumpo e bëri të vetën duke realizuar plot 36 pikë, e duke qenë shënuesi më i mirë i ndeshjes. Ai kapi edhe 11 topa në tabela e shërbeu 13 pasime për kosh, pra arriti një tripëll dabëll, e 9-ta në karrierë. Kështu, Janisi la prapa rekordin e Miluokit vendosur nga Karim Abdyl Xhabar që kaloi shpejt tek Lejkërsat. Denveri dhe Miluoki janë pranë e pranë me rezultatet e arritura, Denveri i gjashti në Perëndim me 32 fitore e 26 humbje, dhe Miluoki po i gjashti, veçse në Lindje, me 32 fitore e 25 humbje.
Sfidanti.al