Eden Azar për Kanten: Më duket sikur luaj me binjakë!

Sulmuesi belg i Celsit, Eden Azar, që ndodhet në një formë të shkëlqyer dhe ka një meritë kryesore që ky ekip londinez ndodhet në krye të klasifikimit të Premier Ligës angleze, në një rrugë të mbarë drejt titullit në kampionatin anglez, nuk i kursen vlerësimet pozitive në adresë të bashkëlojtarit të tij në mesfushë, N’Golo Kante. Në fakt, Azari, qëkur timonin e ekipit londinez e ka marrë strategu italian, Antonio Konte, po luan shkëlqyeshëm, pasi ai (Konte) i ka gjetur atij rolin dhe pozicionin ideal në fushë.

“E kam më të lehtë, kur luaj në mesfushë, pranë Diego Kostës dhe portës së kundërshtarit. Kur luaja në krah, mbesja vetëm dhe më dukej vetja si i papërdorshëm. Kurse, në këtë sistem që po luajmë tani, secili e di punën që duhet të bëjë dhe, prandaj, ne krijojmë shumë shanse për gola”, deklaroi Azari pas ndeshjes së mbrëmshme me Uest Hemin që Celsi e fitoi 2-1 dhe të cilën ai e zbukuroi me golin e parë që shënoi. Por, fjalët më të mira ai i ruajti për partnerin e tij të mesfushës, Kante, që, gjithashtu, po luan shkëlqyeshën gjatë këtij sezoni. “Nganjëherë, më duket sikur luaj me futbollistë binjakë, pasi atë e sheh në çdo moment kudo në fushë!”,  vuri në dukje Azari.

sfidanti.al