Dimitar Berbatov është dikush që e ka njohur mirë “Old Trafordin”. Sulmuesi bullgar, që luajti për Mançester Junajtidin pasi shkëlqeu me Totenhemin, është edhe ai i dëshpëruar për gjendjen e tanishme të skuadrës së dikurshme të lavdishme të “djajve të kuq”. Aq keq i duket formacioni i Ole Gunar Solskjerit, saqë ai kalon në një hipotezë ekstreme.
“Në fushë, Mançester Junajtid, nuk po jep atë që duhet të bëjë një skuadër në këtë moment, – u shpreh ai, – pak rëndësi ka sesi e vlerësojnë veten në klub. Në ekipin e sotëm, edhe Mesi apo Ronaldo do ta kishin të vështirë të shkëlqenin, sepse skuadra nuk po prodhon lojë”. Berbatovi ka edhe një kritikë për klubin dhe për trajnerin.
“Në janar duhet të marrin me patjetër Mario Manxhukiçin, – propozoi ai, – nëse largon dy sulmuesit kryesorë (Lukaku e Aleksis Sançez), atëherë duket të marrësh të paktën një tjetër, në mos më shumë. Kush nuk e sheh se Junajtid ka nevojë për plotësim. i vetmi sulmues me peshë që kanë, Antoni Marsial, është i dëmtuar dhe nuk ka tjetër. Kanë disa të rinj të talentuar, por jo golshënues të sprovuar”.
Sfidanti.al