Arsenali, pikë të merituar në “Old Traford” me “vrasësin” Obamejang!

Mediat britanike e bënë shpejt krahasimin, ndonëse vështirë se ai ka kuptim deri në fund. Asnjë lojtar tjetër i Arsenalit nuk e ka nisur më mirë një sezon të Premier Ligës të paktën në 20 apo 22 vitet e fundit sa Pjer-Emerik Obamejangu. Sulmuesi afrikan u krahasua me Denis Bergkampin, holandezin që ishte pjesë e Arsenalit të sezonit 1997-1998, skuadrës që në fund fitoi titullin. Pavarësisht se Obamejangu e meriton krahasimin, me 7 gola në 7 ndeshje, sërish vështirë të mendohet që ky Arsenal do të dalë kampion. Pyesni një herë Liverpulin e Mançester Sitin!

Krahasimi tjetër ishte tek Mançester Junajtidi, skuadra së cilës i shënoi Obamejangu duke i marrë pikën në “Old Traford”. “Djajtë e kuq” e kanë nisur kampionatin aq keq sa në 1989-1990, ndërsa pas 7 ndeshjeve kanë më pak se 10 pikë. Atë sezon, me Aleks Fergusonin që rrezikonte shkarkimin, Junajtidi doli në vend të 13-të, diçka që vështirë të përsëritet, pasi këtë herë do të jenë padyshim më lart.

Barazimi në “Old Trafordin”, e qullur nga shiu, ishte i merituar për Arsenalin e trajnerit Unai Emeri dhe kapitenit Granit Xhaka, dhe e mban ekipin londinez në 4 vendet e para, pra brenda objektivit për kualifikim në Champions. Mançester Junajtidi mbetet në vendin e 10-të, me 9 pikë, duke vazhduar të zhgënjejë.

Sfidanti.al