Anglia kopjon SHBA-në: Një Botëror britanik në 2030!

Europa e do me forcë tashmë një Kupë Bote, dhe edhe me më shumë energji e kërkon Anglia, që po pret prej 64 vitesh. Një ide (jo aq) origjinale i shkoi në mendje presidentit të Federatës Angleze të Futbollit, Dejvid Xhill, ajo e një kandidature me disa … federata (nuk mund të quhen shtete). Përderisa për 2026-ën fitoi kandidatura treshe SHBA-Kanada-Meksikë, përse të mos fitojë një kandidaturë e Mbretërisë së Bashkuar, njohur më thjesht si Britania e Madhe.

Ideja e Xhillit është që Botërorin e vitit 2030 të përpiqen për ta organizuar federatat e ndryshme britanike, pra Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut. Ka shumë arsye për ta pranuar, dhe fare mirë kjo kandidaturë mund të jetë favorite, nëse FIFA mendon se Botërori duhet të kthehet në Europë pasi u zhvillua në 2010 në Afrikë, në 2014 në Amerikën e Jugut, në 2018 në Rusi (Euro-Azi), në 2022 në Azi (Katar) dhe në 2026 në Amerikën e Veriut. Britanikët i kanë të gjitha, traditën, infrastrukturën, frymën sportive, dhe po ashtu nuk do të ketë distanca për të fluturuar me avion si në Rusi, Brazil apo Amerikën e Veriut.

Sfidanti.al