Legjendari italian, Andrea Pirlo, sezonin e ardhshëm, do të mund të bëhet pjesë e Premier Ligës angleze, duke qenë se një interes të madh për të kanë treguar Antonio Kone dhe klubi i Celsit, vetkuptohet jo si lojtar. Strategu i stolit të “bluve”, Konte, ka mbetur pa shërbimet e ndihmësit të vet, Stiv Holand, që, në fund të këtij sezoni, do të largohet nga ekipi londinez, pasi është caktuar si ndihmës i trajnerit të ekipit përfaqësues të Anglisë. Këtë lajm e konfirmoi edhe legjenda e Celsit, Uillkins, që vuri në dukje se është e vërtetë se Pirlo do të vijë në “Stemford Brixh”.
“Jam i sigurt se ai do të vijë te Celsi, pasi e kam parë disa herë Andrea Pirlon në ose pranë stadiumit ‘Stemford Brixh’. Konte do vetëm atë dhe askënd tjetër, ai ka qenë trajner i Pirlos për shumë vite dhe di që të nxjerrë më të mirën prej tij”, thotë Uillkinsi. Pronari i klubit londinez, Roman Abramoviç, pritet që të jetë pengesa kryesore e Kontes për ardhjen e Pirlos, pasi ai (Abramoviç) do që në ekipin e Kontes të ketë njeriun e vet, pra, një person që të jetë i afërt me të dhe që t’i transmetojë atij atmosferën e vërtetë në dhomën e zhveshjes.
sfidanti.al