Nga Franca vjen një ofertë që i vë të gjithë në lëvizje. Kur jepen 70 milionë euro (60 milionë stërlina), gjithnjë duhet menduar mirë përpara sesa të jepet një përgjigje, sidomos kur kjo shumë vjen për një lojtar që është vënë në diskutim. Paris SG kërkon Sergio Agueron, deri një sezon më parë ndër më të paprekshmit tek Mançester Siti, gjendje që sot ka ndryshuar.
Argjentinasi, i krahasuar më parë me vetë Lionel Mesin, nuk është më titullar i sigurt i Pep Guardiolës, ndaj edhe 70 milionë euro për të nuk janë pak. Gjithsesi, agjenti i numrit 10 të “qytetarëve” thotë prerë se “nuk ka asnjë shans që Sergio të largohet nga Siti”.
“Nuk ka dyshim, as frikë, – tha Hernan Regera, – Sergio mbetet me siguri tek Mançester Siti. Nuk ka pasur kurrë oferta, as nuk i kanë thënë se mund të largohet. Futbollisti është i lumtur tek Siti”. Besohet se 29-vjeçari nuk ka marrëdhënie nga më të mirat me trajnerin e tij, ndërsa vendi në formacion iu rrezikua nga braziliani Gabriel Zhezus.
Aguero ka edhe 2 vjet kontratë me Sitin dhe ky është moment më i mirë për të realizuar transferimin, ndërsa në të kundërt, do të duhej të kishte një rinovim.
Sfidanti.al