Ka shumë vjet që kur futbollistët kalojnë në kabinetin e trofeve në “Anfild”, ulin kokën. E ka bërë edhe legjenda Stiven Xherrard, 12 vjet kapiten dhe kampion i Europës në 2005, edhe Xhemi Karrager, edhe Fernando Torres apo Luis Suarez. Që prej vitit 1990, Liverpuli nuk e fiton dot titullin në Angli. Në një epokë të mallkuar, pak a shumë si ajo e Partizanit në Shqipëri, tifozët e kuq kryqëzojnë gishtat duke u lutur për Jurgen Klopin. Ky gjerman eksentrik i ka bërë të harrojnë “stereotipet” për gjithçka që vinte nga Gjermania, për “Fricët”, “Krauset” dhe çdo fjalë tjetër përbuzëse.
Fitorja e fundit ndaj Arsenalit, një 4-0 madhështor, i ka bërë të shpresojnë se mrekullia mund të ndodhë. Klop njihet si mrekullibërës, por për të ngjallur Liverpulin e madh duhet një magjistar po aq i madh sa Dejvid Koperfildi. Gjithsesi, çdo trajner i madh kërkon edhe një skuadër të madhe. A është ky ekip, i tillë? Nëse Filip Kutinjo kandiset që të mos shkojë tek Barcelona, padyshim që është. Liverpuli sot ka 18-19 lojtarë të gatshëm për të pretenduar (llogaritë me dhe pa Kutinjon), përfshi dy portierë, mbrojtës, mesfushorë dhe sulmues.
Gazetari Martin Samuel i “Deili Meilit” komentoi kështu: Liverpuli ishte madhështor, i jashtëzakonshëm, Xho Gomez mbinjerëzor, Emre Xhan i pafundëm, Roberto Firmino i shkëlqyer, Mohamed Salah elektrik, Sadio Mane një kënaqësi për t’u parë. Klop ka arritur të mbledhë një “përzierje eksplozive”, me shumë larmi në moshë dhe në kombësi. Me përjashtim të kapitenit të dytë, Milner, të gjithë janë nën 30 vjeç, disa janë lojtarë të Anglisë U19 e Anglisë U21 (Gomez, Solanke, Aleksandër-Arnold), pesë janë në kombëtaren e Anglisë, si dhe ka nga kombëtaret e Brazilit, Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Holandës, Egjiptit apo Senegalit. Pavarësisht nga forca e Mançester Junajtidit, Mançester Sitit apo Çelsit, Liverpuli me të drejtë ka pretendimet e veta.
Sfidanti.al