Krerët e Premier Ligës angleze po ruajnë heshtjen dhe nuk bëjnë asnjë koment lidhur me vërejtjet dhe ankesat e shumë klubeve angleze për kalendarin mjaft të ngjeshur të ndeshjeve. Ç’është e vërteta, para fillimit të këtij sezoni të Premier Ligës, drejtori ekzekutiv i saj, Riçard Skadmor, sugjeroi se ata që e drejtojnë këtë Ligë, janë të hapur për ndonjë pauzë dimërore eventuale, por, duke shtuar menjëherë se për një pauzë të tillë nuk ka kohë të mjaftueshme. Në fakt, ekzistojnë shumë argumente për aplikimin e një pauze dimërore të tillë.
Një studim përkatës që është publikuar kohët e fundit, tregoi se futbollistët luajnë më mirë, kur kanë një pushim më të gjatë mes ndeshjeve. Më 2012, trajneri holandez i futbollit, Rajmond Verheen, në një studim të tij, vinte në dukje se dy ditë pushimi mes ndeshjeve janë “të pamjaftueshme dhe jokorrekte”. Studimi i tij tregoi se të gjithë ekipet kanë fituar në shumë pak ndeshje pas vetëm dy ditë pushimi. Në të njëjtën kohë, me këtë rast, janë shënuar 70 për qind gola më pak në 30 minutat e fundit, por, ndërkohë, janë pësuar 75 për qind gola më shumë!
Alfred Mane