Antonio Conte dhe Eden Hazard janë vlerësuar për ecurinë pozitive të skuadrës së Chelseat, duke u shpallur respektivisht, trajneri më i mirë dhe lojtari më i mirë i muajit tetor.
Gjatë muajit të dhjetë të vitit, Chelsea arriti 4 fitore në aq ndeshje, duke shënuar 11 gola dhe duke mos pësuar asnjë. Pikërisht ishte muaji kur Conte vendosi të aplikojë skemën 3-4-3 pas humbjes 3-0 ndaj Arsenalit në sfidën e fundit të muajit shtator.
Në tetor Chelsea mposhti 2-0 Hullin, 3-0 Leicesterin, 4-0 United dhe 2-0 Sauthemptonin. Nga vendi i tetë me tetë pikë diferencë me Cityn, Chelsea u ngjit në vendin e dytë me 1 pikë më shumë se City i vendit të tretë.
Ky është trofeu i parë personal për Conten në Angli, ndërkohë që më parë ka fituar 3 herë trofeun “Trajneri i vitit” në Itali pas sukseseve me Juven.
Të dielën, Conte do të tentojë të arrijë fitoren e 6 radhazi kur udhëton në verilindje për të sfiduar vendasit e Middlesbrough.