Prag Belgjikë-Francë, sot fiton Lukaku apo Mbape?!

Vëmendja ka mbetur në atë moment. Kilian Mbape humbi penalltinë vendimtare dhe Franca u eleminua nga Zvicra në raundin e dytë të Europianit 2020. Kjo disfatë, që nuk ishte humbje si rezultat, e shkatërroi mitin e pathyeshmërisë së kampionëve të botës, të goditur edhe nga probleme të tjera në prag të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve ndaj Belgjikës. Të mbiquajturit “Gjelat” mbërritën në Torino, duke qenë sërish favoritë, por duke mos dhënë asnjë garanci. Kante është i dëmtuar, por yjet Mbape, Grizman e Benzema janë gati. Uniteti i ekipit të trajnerit Deshamp është dëmtuar ndjeshëm nga konfliktet e brendshme dhe nga fakti se kombëtarja është kthyer në objekt të lojrave politike në Francë. Shqetësimi më i madh është për Kilian Mbapenë.

“Kiliani është i lumtur që ndodhet këtu, – tha Deshampi, – dhe si gjithë shokët e tjerë të skuadrës, është i përqëndruar vetëm tek ndeshja. Çfarë ka ndodhur më parë është pjesë e së kaluarës, dhe ne nuk mund të kthehemi prapa. Vlen vetëm e sotmja dhe e nesërmja.

Belgjika ndërkaq, po përgatitet duke e ditur se ky është një nga shanset e fundit për brezin e mbiquajtur “të artë”. Mungesat janë një shqetësim, por treshja ofensive De Brujn-Eden Hazar-Lukaku nuk mungon. Gjithsesi, eleminimi në çerekfinalet e Europianit ndaj Italisë e ka ridimensionuar ekipin numër 1 të renditjes botërore të FIFA-s. Problemi më i madh duket Lukaku që ka 5 ndeshje radhazi pa gol tek Çelsi, edhe pse me Belgjikën ka 67 rrjeta në 100 ndeshje.

“Lukaku ka gjithçka që një trajner do të donte të kishte një sulmues, – thotë trajneri Martinezi, – unë kam nisur të punoj me të që kur ishte 19 vjeç, dhe ka ecur shumë përpara. Periudha tek Interi e bëri më të pjekur dhe ai mund të bëjë gjithçka që kërkon një trajner nga një sulmues”. Belgjika dhe Franca janë dy prej kombëtareve që kanë luajtur më shumë me njëra-tjetrën, 74 herë, dhe francezët kanë epërsi të lehtë. Gjithsesi, më shumë rëndësi ka fakti se Belgjika nuk ka fituar asnjë ndeshje zyrtare që nga viti 1981, dhe vetëm 2 nga 12 të fundit.

Sfidanti.al