Portugezët “bubullima” drejt FIFA-s: Ronaldo 100 herë më i mire se Modriçi!

Kristiano Ronaldo nuk erdhi në Londër në mbrëmjen gala që organizoi FIFA me rastin e dhënies së çmimit “The Best” të lojtarit më të mirë të vitit 2018. Vetë paralajmërimi i mosardhjes së Ronaldos në ceremoninë solemne ishte një sinjal se ai e dinte se nuk do ta merrte këtë çmim. Çmimin “The Best” e fitoi futbollisti kroat Luka Mordiç që grumbulloi gati 10 për qind më shumë vota (29,05) sesa Ronaldo (19,08 për qind), ndërkohë që vendet 3,4 dhe 5 i zunë Mohamed Salah (11,23 për qind), Kilian Mbape (10,52 per qind) dhe Lionel Mesi (9,81 për qind).
Menjëherë mbas shpalljes së lojtarit më të mire, në adresë të FIFA-s u lëshuan “bubullima” nga media portugeze që vinte sot në dukje se Kristiano Ronaldo është 100 herë më i mirë sesa Luka Modriçi, duke e mbështetur këtë pretendim me statistika të holësishme të sezonit të kaluar. Media në fjalë theksonte se Ronaldo e kalon Modriçin në të gjithë drejtimet, ka shënuar më shumë gola dhe ka dhënë më shumë pasime golsh, ka shënuar më shumë gola në Ligën e Kampioneve, etj.
Megjithatë, sikurse e tregoi edhe dhënia e çmimit më të mirë Modriçit, futbolli nuk është gjithnjë matematikë dhe statistikat nuk e zbulojnë dot të gjithë tablonë.
Luka Modriç është futbollisti i parë që fiton “Topin e artë” të Botërorit, çmimin e UEFA-s si futbollisti më i mirë evropian dhe çmimin e FIFA-s “The Best”, pra ai vendos një rekord historik, pasi asnjë futbollist tjetër para tij nuk i ka marrë asnjëherë të tre çmimet brenda vitit.
Sfidanti.al