Juventus dhe Real Madrid duket se nuk i kanë bërë mirë llogaritë përsa i përket cështjes Pogba. Klubi italian dhe ai spanjoll tashmë kanë hyrë në një garë të fortë për mesfushorin francez, por nuk kanë marrë parasysh një faktor; Ole Gunar Solskjaer.
Sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle AS, trajneri i Mancester Junajtid beson se do të jetë në gjendje që të bindë Pogbanë që të qëndrojë te Djajtë e Kuq. Në fakt klubi anglez nuk ka ndërmend aspak që të privohet nga mesfushori dhe të hyjë në bisedime me klube të tjerë pavarësisht se po flitet për një pretendim nga ana e Mancester Junajtid për 150 milionë Euro për kartonin e Pogbasë
Megjithatë misioni i Djajve të Kuq, duke parë edhe situatën e krijuar, n uk do të jetë i lehtë për t’u përmbushur. Futbollisti ka thënë hapur se për të ka ardhur koha për sfida të reja, ndërsa agjenti i tij Mino Raiola për ‘TalkSPORT’ konfirmoi këtë koncept për të ushtruar më shumë presion mbi klubin anglez.
Ndërkaq, 26 vjecari është nisur me Mancester Junajtid për në Australi, por në internet po bëjnë xhiron e botës imazhet e tij që duket sikur po grindet me Lingard. Sigurisht Pogba nuk është me gjendjen më optimale shpirtërore, por Solskjaer është i bindur se me ndihmën e personaliteteve të tjera të forta që ka në stafin e tij, do të jetë në gjendje që të mbajë Pogbanë në skuadër.
Ndërsa Juventus, Real dhe Raiola do të këmbëngulin për të thyer rezistencën e Mancester Junajtid dhe koha që kanë në dispozicion është shumë e shkurtër duke qenë se për Premier Leaguen, merkatoja e transferimeve mbyllet në 8 gusht
sfidanti.al