Sa shpejt ndryshon atmosfera në futboll. Edhe pse “Zonja e Vjetër” nuk është se kishte shkëlqyer e i kishte bërë njerëzit të humbisnin mendjen, sërish ajo dukej në rrugë të mbarë në Champions dhe deri diku edhe në Serinë A. Gjithsesi, mjaftoi një mungesë e Kristiano Ronaldos që të bënte një tjetër gabim të madh, që e vuri nën presion trajnerin Pirlo, që pati një thirrje për lojtarët.
“Nuk dua t’i bëj kritika lojtarëve të mi, – tha trajneri Pirlo, – por, duhet të fillojmë të kuptojmë se ndeshjet ikin njëra pas tjetrës, dhe se këto pikë të humbura nisin të bëhen shumë, prandaj duhet të bëjmë kthesë, të ndryshojmë mentalitetin, të kemi më shumë personalitet. Ndeshjet duhen luajtur ndryshe. Natyrisht, nuk është ndonjë tragjedi, por në një fushë si Benevento duhet fituar, edhe pa Kristiano Ronaldon”.
“Interi është, por Juvja jo”, – titullon në gjithë kopertinën “La Gazeta delo Sport”, – çfarë kthese nga zikaltërit, tani në vend të dytë! Çfarë zhgënjimi për torinezët, mungon Ronaldo, përfundon 1-1!” Ja edhe “Tutosporti”: Jo CR7, jo Juve! Me një Ronaldo pushim, dhe Dibalën zhgënjyes, nuk mjafton Morata”.
Piemontezët nuk kishin Kristiano Ronaldon, por kjo nuk mund të jetë justifikim, kur në fushë ishin Morata, Dibala, Kieza apo De Ligt. Fakti mbetet fakt, Pirlo nuk ka fituar ende asnjë ndeshje pa portugezin! Gjithsesi, ndryshimet janë të mëdha, sidomos në një mbrojtje pa Kielinin e Bonuçin, dhe në një mesfushë ku luajnë Artur, Rabio e Ramsej. Një transfuzion i vërtetë.
Sfidanti.al