Pas humbjes në Champions, Allegri e Bonucci drejt largimit?

Humbja në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Realit të Madridit ishte një goditje e rëndë për Juventusin. Te Zonja e Vjetër po flitet për disa ndryshime në skuadër që mund të përcaktojnë edhe fatin e trajnerit Massimiliano Allegri edhe pse ky i fundit publikisht ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë te bardhezinjtë. Sipas medias italiane , Allegri shumë shpejt pritet të nisë bisedimet me drejtuesit e skuadrës torineze për të diskutuar rinovimin e kontratës ku ai pretendon një pagë prej 8 milionë Euro në sezon. Por në këtë pikë nuk duhen injoruar as zërat e merkatos, pasi Paris Saint Germain po e monitoron me kujdes gjendjen e tij dhe është gati t’i ofrojë Allegrit një pagë prej 10 milionë Euro në sezon. Por çështja e pagës nuk do të jetë e vetmja temë diskutimi mes Allegrit dhe drejtuesve të kampionëve të Italisë. Trajneri pritet t’u kërkojë drejtuesve të klubit edhe ndërhyrje në merkaton e transferimeve pasi Zonjës së vjetër i duhen të paktën 3-4 futbollistë cilësorë për të arritur te triumfi në Ligën e Kampioneve. Një cështje më vete te Juventusi është edhe Leonardo Bonucci, që skuadra italiane rrezikon ta humbasë . Chelsea dhe Manchester City e kanë vënë prej kohësh në shënjestër mbrojtësin italian dhe tashmë duket se ka ardhur koha që të tentojnë blerjen e tij. Ajo që do të mund të bëjë ofertën më të mirë me shumë gjasa do të sigurojë edhe shërbimin e Leonardo Bonuccit.

sfidanti.al