Romelu Lukaku, ylli i Mançester Junajtdit dhe “nënta” e përfaqësueses së Belgjikës, e shënoi emrin e tij në histori, duke barazuar rekordin e Diego Armando Maradonës, pasi në ndeshjen kundër Tunizisë ai shënoi dy herë, për herë të dytë në këtë Botëror. Lukaku shënoi dy gola kundër Panamasë, si edhe po dy gola kundër Tunizisë, duke barazuar rekordin e Maradonës që shënoi nga dy gola kundër Anglisë dhe Belgjikës në Botërorin e vitit 1986 në Meksikë.
Sidoqoftë, mbas kësaj ndesheje që ai e zhvilloi shkëlqyeshëm, Lukaku u vu në pozitë të vështirë, kur gazetarët i thanë atij se, sa i përket një të dhënë statistikore, ai kishte barazuar rekordin e Maradonës.
“Pritni pak…Ju po flisni për futbollistin më të mirë të kohës së vet. Mos u tallni me mua. Ai ka fituar Botëror, kurse unë asgjë. Është diçka e bukur të hysh në histori, por unë, megjithatë, luaj për ekipin. Unë qëndroj fort me këmbë në tokë, kur fjala është gjëra të tilla”, tha ai. Ky futbollist belg u barazua me Kristiano Ronaldon, pasi të dy ata kanë shënuar nga katër gola në Botëror.
Sfidanti.al