Dihet se në Maqedoni, gjatë këtyre viteve të fundit, për vendin e parë në kampionatin vendas luftojnë, kryesisht, dy ekipe, Vardari i Shkupit dhe Shkëndija e Tetovës, prandaj edhe ndeshjet mes tyre priten me interesim të madh. Këtë sezon mjaft mirë e ka filluar skuadra tetovare, duke i fituar të gjitha ndeshjet e derianishme, por në raundin e fundit, ajo pësoi humbjen e parë në stadiumin “Filipi i 2-të” të Shkupit. Në pjesën e parë, Shkëndija e kontrolloi lojën, por në pjesën e dytë ajo i iku nga duart, duke pësuar katër gola dhe një humbje të merituar.
Trajneri i tetovarëve, Qatip Osmani, konsideron se humbja erdhi ekskluzivisht si pasojë e gabimeve dhe të shpërqëndrimit të lojtarëve të ekipit të tij dhe jo sepse Vardari luajti më mirë.
“Ne e mundëm vetë veten tonë, duhet ta pranojmë. Gabimet tona e lejuan Vardarin që të kthehej në lojë. Në momentet kyç, kur ne duhet të tregonim gjaktftohtësi, qetësi dhe forcë, ne u shpërqëndruam, ndërsa mbrojtja jonë nisi që t’u falë gola kundërshtarëve. Sidoqoftë, kjo është vetëm një nga betejat mes dy ekipeve tona që janë më të mirët në Maqedoni, kështu që të tjera na presin në të ardhmen”, vuri në dukje Qatibi.
Sfidanti.al