Jashanica i Skënderbeut  flet pak, ama, kur e bën dëgjohet edhe në Beograd?

Mos i vini faj futbollisteve se janë diplomatët më të mirë kur kanë topin tek këmba dhe janë diplomatët e këqinj kur harrojnë se cili është misioni i tyre.. Në prag të ndeshjes së Skënderbeut  me Partizanin e Beogradit,  veshët janë zgjatur shumë  dhe deklaratat e ekipeve përgjohen pas dere, për të treguar se fusha e futbollit është  minuar nga politika dhe futbollistët duhet të kenë kujdes ku e lëshojnë këmbën, që në këtë rast është fjala e tyre.

Kështu, deklarata futbollistit kosovar, Bajram Jashanica, që luan me Skënderbeun e Korçës, në prag të ndeshjes së ardhshme (të enjten), në kuadrin e Ligës së Evropës, me Partizanin e Beogradit, ka provokuar tej mase atmosferën në Beograd . “Para ndeshjes me Partizanin, do të luajmë me Lushnjën dhe, fillimisht, ne duhet të përqendrohemi te kjo ndeshje. Kurse ndeshja kundër Partizanit të Beogradit, natyrisht, që do të jetë e veçantë. Të gjithë e mbajnë mend ende se çfarë kanë bërë serbët në Kosovë”, deklaroi Jashanica.

Kjo deklaratë është cilësuar nga media serbe si skandaloze dhe krejtësisht e pavend, se futbolli është vetëm sport e nuk ka lidhje me politikën dhe se është për të ardhur keq që një ndeshje futbolli paralajmërohet në një mënyrë të tillë. Sa të ndjeshëm serbët e medias, aq sa u kap antena zërin e largët të Jashanicës, kurse në Beograd, në rastin e ndeshjes me Shqipërinë, mbyllën veshët dhe sytë kur bashkatdhetarët e tyre thërrisnin me stil mesjetar “vritini shqiptarët”.  Por, futbolli s’ka kujtesë, sidomos kur në skenë dalin zyrtarët që nga njëra anë betohen se shpirti që mban gjallë akoma lojën janë tifozët, ndersa nga ana tjetër, me ndihmën e UEFA-s, vendoset përjashtimi i tifozëve sepse na qënka një biçim ndeshjeje, e cila mbahet në fije të perit për nga rrezikshmëria…

Sfidanti.al