Ish-trajneri i Argjentinës dhe trajneri aktual i Lilit francez, Marselo Bielsa, është kandidati më serioz për postin e drejtuesit të ekipit përfaqësues të SHBA-së që ka mbetur pa trajner, qëkur Brjus Arena dha dorëheqje të parevokueshme mbas dështimit të SHBA-së në ciklin kualifikues të Kupës së Botës të Rusisë 2018. SHBA-së i duhej vetëm 1 (një) pikë në ndeshjen e fundit me Trinidad e Tobago që zinte vendin e fundit në grup, por amerikanët, për turp të Zotit, u mundën 2-1, për më tepër që trinidadasit udhëhiqnin 2-0, dhe, kështu, SHBA-ja mbeti jashtë Botërorit, për herë të parë që nga viti 1986!
Normalisht që pasoi dorëheqja e Arenës, të cilit i ishte dhënë posti i trajnerit të SHBA-së, në nëntor 2016. Ky, në fakt, ishte mandati i tij i dytë në krye të SHBA-së, pasi ai e ka drejtuar atë edhe gjatë viteve 1998-2006. Tani, amerikanët duan në drejtimin e ekipit të tyre Bielsën që në karrierën e tij, ka qenë trajner i Argjentinës, Kilit, Atletiko Bilbaos, Marsejës, Lacios dhe, tani, i Lilit.
Sfidanti.al